14.5 C
Zürich
Freitag, September 18, 2026

E hënë, 29 mars 1999: Në Kukës kanë vërshuar rreth 500 gazetarë të huaj

Nga Ditari i shkrimtarit Petrit Palushi, “Kukësi në 79 ditë”…, po japim ditën e tretë të eksodit biblik të shqiptarëve të Kosovës, ku ai shkruan se : “Sot nga sheshi u nisën 110 automjete me 4 mijë  vetë për në zona të tjera të Shqipërisë, por në qytet erdhën  edhe 10 mijë të tjerë. Prej të shtunës erdhën 60 mijë vetë, por këmbanat e alarmit kanë rënë kahmos, pra, se me këtë  ritëm, në qytet brenda tri ditëve të tjera mund të vijnë dhe 100 mijë të tjerë, por dhe 200 mijë e më  tepër”.

Nga Petrit PALUSHI, Kukës

Të ardhurit këtu sikur marrin frymën e parë. Por njëkohësisht është dhe qyteti ku shkarkohet dhimbja, që ka mbështjellë të ardhurit. Dhimbja për njerëzit e tyre të vrarë, të masakruar. Dhimbja për rrënimin e shtëpive, për zhvendosjen me dhunë nga trojet e tyre. Ajo shtrihet në krejt qytetin dhe hapësinën përreth. Shpërndahet kahmos dhe duket se s’e lehton asgjë. Sikur ngrihet dhe mbështetet në shpatnajën e zhveshtë të Malit të Gjallicës, por menjëherë kthehet mbrapsht. Kërkon të mbështetet në liqenin pranë qytetit, por edhe liqeni sikur është ngrijas dhe s’e mban më. Nëpër rrugë s’ka ku të rrijë, s’ka vend të lirë, sepse rrugët i mbushën njerëzit. As përreth qytetit. Prap gjenden hapësina të ndërmjetme dhe dhimbja gjen shteg e rri në sytë e njerëzve. Aty sikur rri pa lëvizë. Sytë e njerëzve lëvizin, ndërsa ajo rri prap aty. S’dihet sa do rrijë kështu, krejt ngrijas në sytë e lëvizshëm të mijëra vetëve në këtë qytet të vogël, ku, për shkak të pluhurit të dendur, njeriu duhet të fshijë këpucët tri – katër herë brenda ditës.

Pika e kalimit në Morin i ngjan derës së madhe të një tuneli t’errët, derë që rri haptë gjithë ditën e natën e lume dhe, që vetëm nxjerr e nxjerr njerëz. Njerëz të veshur me ankth. Me pikëllim. Duket se ritmi i jetës së tyre është këputë.

Thuhet se në qytet po mbaron buka dhe mallrat e tjerë ushqimorë, ndërsa fluksi i të ardhurve shtohet pandërprerë.

Gjatë ditës së sotme pika e kalimit në Morin bllokohet vetëm për katër orë, por kjo gjë pak vihet re ose nuk vihet re, mbasi kolona e traktorëve shtrihet përgjatë rrugës Morin – Kukës dhe të lë përshtypjen se lëvizja e njerëzve nuk këputet as edhe për një çast. Ata që vijnë vendosen aty ku mund të ketë vend të lirë: Në sheshin qendror, në gjithë hapësinën ndërmjet xhamisë dhe ndërtesës së Prefekturës, në ish – këndin e lojnave për fëmijë, në mjediset e brendshme të magazinave të patates apo të magazinave të tjera (sidomos n’atë vend ku deri para disa viteve quhej “Zona industriale”).

Xhamia dhe Pallati i Kulturës “H. Prishtina” janë mbushur plot e përplot, por edhe përjashtë tyre. Njerëzit i kanë rrethuar, siç rrethoheshin kë- shtjellat moti, veçse këtu i sheh t’ulur, mund t’i shohësh mbi traktorë, por edhe mund të shohësh mbledhnaja njerëzish në hapësinat ndërmjet trak- torëve, të lodhur dhe të heshtur njikohësisht. Thu- het se do vijë miell nga rezervat e shtetit, siç thuhet se po vijnë rreth 20 mijë çadra për të strehuar të shpërngulurit, të cilët, shtohen nga çasti në çast dhe në banesat e qytetarëve s’kanë më ku të futen, jo vetëm pse banesat e tyre e kanë hapësinën shu- më të ngushtë, por në çdo banesë tani ndodhen mbi 20 a 30 vetë.

Sot nga sheshi u nisën 110 automjete me 4 mijë vetë për në zona të tjera të Shqipërisë, por në qytet erdhën edhe 10 mijë të tjerë.

Prej të shtunës erdhën 60 mijë vetë, por këmbanat e alarmit kanë rënë kahmos (të frikshme, me ritëm të zgjatur dhe që lodhin çdokënd), pra, se me këtë ritëm, në qytet Brenda tri ditëve të tjera mund të vijnë dhe 100 mijë të tjerë, por dhe 200 mijë e më tepër.

Do jetojë ky qytet me njerëzit që shtohen siç shtohen valët e një lumi? Çfarë do bëhet me këtë qytet dhe me këta njerëz? Por çdokush këtu ndodhet ndërdyshtas. Askush s’është në gjendje të japë dum se ç’do bëhet këtu, si do ngrysen ditët dhe si do çelen me gjithato vetë, që pothuajse i kanë marrë frymën qytetit dhe hapësinës përreth.

Pika e kalimit në Morin vazhdon të mbetet e haptë.

Dëbimi tani ka përfshi rrethinat e Prizrenit dhe Gjakovës.

Pika e kalimit në Morin nxjerr e nxjerr njerëz dhe prej aty mund të shohësh karvanin e gjatë të tyre, në këmbë ose me traktorë, që presin në rresht për të kaluar këtë pikë kalimi dhe me ecë në drejtim të Kukësit. Vendi pranë doganës është i mbushur dhe, si të thuash ka mbetë si rastësisht e haptë sall pjesa e rrugës nga ku kalojnë të shpërngulurit.

Në Kukës, banesat e qytetarëve janë të zëna: Të shtunën dhe të dielën u mbushën dhe vështirë se mund të ketë mbetë një e tillë e pazënë, siç nuk ka mbetë e zbrazët asnjë pjesë e sheshit, rrugëve, traktorëve dhe ata që erdhën kërkojnë tani ku mund të ketë hapësinë ku mund të vendosen.

Nëpër qytet u shpërnda bukë dhe ushqime të tjera. Pranë ish – kinemasë së vjetër, UNHCR- ja shpërndau bukë pothuajse gjithë pasditen. Po sot pasdite, Basri Ruka, pronari i firmës “Lindi”, ka sjellë nga Tirana katër kamionë me miell, që e nisën menjëherë në komunën e Bicajve.

Pranë Pallatit të Kulturës “H. Prishtina” mund të dallosh lehtas vullnetarët e Kryqit të Kuq për shkak të bluzave që kanë veshë. Ata janë kryesisht nxënës të gjimnazit “H. Nela”. Juristi Bedri Gjana, që është me nxënësit më thotë se qysh të shtunën s’kanë shkuar në shtëpitë e tyre dhe janë këtu, në shërbim të njerëzve.

Shënoj në një fletë blloku emrat e disa prej tyre: Bledar Mata, Klodian Shehu, Edvin Miftarallari, Ermal Korbi, Eduard Korbi, Eduard Gjici, Bledar Spahiu, Artur Cengu, me shpresë se një ditë, ndoshta në një ditë të largët do t’u kthehem përsëri këtyre shënimeve.

Në Kukës kanë vërshuar rreth 500 gazetarë të huaj.

Tashmë drama e Kosovës po i përcillet botës, aq sa mund të përcillet, kur dihet se Kosova është e izoluar dhe t’afrohesh të futesh aty është njëlloj si t’i afrohesh portës së një ferri. Kukësi natyrisht është vendi ku merret informacioni më i parë.

Të shpërngulurit, me të mbërritë në Kukës menjëherë dërgojnë informacion në Televizionin  e Kukësit dhe Radio Kukësi për t’u lajmëruar me t’afërmit e tyre.