15.5 C
Zürich
Samstag, September 19, 2026

Sylë Mujaj, që nën peshën e prangave krijoi piktura të mrekullueshme!

Piktura të krijuara në burg

 

Jo pa arsye edhe vetë Ibrahim Kodra e çmonte shumë artistin tonë rugovas ndaj edhe Maestro duke u mbështet edhe në një shprehje të Garsia Lorkës, thoshte se vizatimet dhe poezitë e Sylë Mujajt na bëjnë të kuptojmë se: “Jeta nuk është ëndërr, por mish i gjallë”!, të cilin e ka përjetuar Syla ynë edhe në lëkurën e tij me vite në çelite e errëta serbo-sllave e që edhe në ato rrethana të krijojë tablo të mrekullueshme pikturash, madje edhe nga tuli i bukës!

 Teksti dhe fotot Rexhep Rifati  

Sot 6 vjet, pikërisht më 22 Mars 2015, udhëtova nga Cyrihu në Lugano, për të takuar një nga personalitetet e veçanta të mërgatës shqiptare në Zvicër: piktorin, poetin e atdhetari i spikatur, një nga të burgosurit politik që vuajti më së gjati çelite e burgjeve serbe, Sylë Mujaj. Po kjo datë përkiste edhe me 80 vjetorin e vdekjes së Aleksandër Moisiu, ndaj edhe një vizitë në Lugano te varri i gjeniut tonë të skenës, sikur më ofronte me dy artistët tanë, që kanë lanë vulë me veprat e tyre në këtë qytet perle të shtetit helvetik.

Sa i përket sonë Sylës sonë dashur, ai është i lindur më 30 maj 1958 në Dugaivë, Rugovës, ka një biografi të tërë, sa të dhembshme aq edhe krenare: para se të mbaronte studimet arrestohet nga policia serbe si pjesëmarrës i demonstratave studentore, në mars të vitit 1981 dhe dënohet me 10 vjet burg, nga të cilat, mbi shtatë vjet i kalon në izolim. Tek me ndihmën e Amnistisë Internacionale dhe Komitetit të Helsinkit arrin të lirohet.

Ana tjetër e medaljonit e mikut tim të çmuar është arti, sidomos piktura e poezia.

Sylë Mujaj është njeriu që prej mungesës së lirisë, krijoi vargje që tronditin me forcën e tyre realiste dhe me fuqinë e tyre artistike. Ndërsa piktura e tij u krijua në heshtje, nën peshën e prangave, nga një copë laps të mprehtë e një letër cigareje; një pikturë e lexueshme dhe shumë domethënëse. Ajo përcjell me forcë tragjizmin e një populli të tërë nën peshën e dhunës.

Prej vitesh Sylë Mujaj jeton me familje në Lugano të Zvicrës. Përkundër shëndetit të dërmuar edhe më tej krijon pa ndërpre: punon mozaikë të mrekullueshëm, ku prin motivet nga vendlindja: Gryka e Rugovës, frymëzim i përhershëm i tij.

Janë edhe dy figura madhore të artit shqiptar e botëror, që na lidhin edhe më tepër me te: aktori Aleksandër Moisiu dhe piktori Ibrahim Kodra, veçmas jubiletë e tyre. Syla sikur bashkëjeton mes këtyre dy artistëve tanë me përmasa ndërkombëtare, duke i shënuar datat që lidhen me jetën dhe veprën e tyre. Për Maestron Kodra është përkujdes me tërë familjen, sidomos kur piktori përballej me sëmurje e pleqëri. Jo pa arsye edhe vetë Kodra e çmonte shumë artistin tonë rugovas. Maestro duke u mbështet edhe në një shprehje të Garsia Lorkës, thoshte se vizatimet dhe poezitë e Sylë Mujajt na bëjnë të kuptojmë se: “Jeta nuk është ëndërr, por mish i gjallë”, përfundon Kodra.

Ky është pra Sylë Mujaj artisti i tretë, pas Moisiut e Kodres, që jeton e vepron në qytetin e Luganos. Ndaj edhe me këtë rast në përfundim të kësaj dite kur Syla ynë ndonëse ka kaluar të 60-tat vazhdimisht inspirimin e tij e bartë në letër apo në mozaikët e mrekullueshëm, do to të doja si edhe para 6 vitesh në Luganon e lulëzuar të jem sa për një ndej kafeje, por kjo situatë na ka privuar nga kjo mundësi. Por më mban shpresa së shpejti për një ritakim me mikun, artisti dhe atdhetarin Sylë Mujaj për të shijuar jo vetëm ndejën e këndshme me te, por edhe veprat e reja, përherë motivuese e frymëzuese!

(Pos fotove të shkerpura në vendin ku jeton piktori, në Lugano edhe disa nga ato të shkrepura gjatë ekspozitës së tij në Bernë, si dhe një foto me shokët e burgut, në 30 vjetorin e demonstratave të `81-shes)