15.5 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

PËRDORIMI I DREJTË I NDJAFOLJES A I PARAFJALËS “PRANË”

Gjuha, si fenomen shoqëror zhvillohet krahas me zhvillimin e shoqërisë. Duke u zhvilluar ajo pasurohet me fjalë ose me shprehje, varësisht nga situata ose vendi ku ato fjalë e shprehje mund të përdoren. Gjuha shqipe , për shembull, edhe pse ka arritur një nivel të kënaqshëm zhvillimi, prapëseprapë në disa media po vërehen disa luhatshmëri përdorimi.

 Shkruan : Sami ISLAMI, Londër  

Në këtë kontekst, një vështrim, sado të përciptë meriton t’i hidhet çështjes së përdorimit të ndajfoljes ose të parafjalës PRANË, e cila po përdoret gabim, sidomos kur përdoret si parafjalë.

Që në fillim është e nevojshme të theksohet se fjala PRANË në gjuhën shqipe mund të përdoret si parafjalë edhe si ndajfolje, varësisht nga pozita se ku gjendet ajo, domethënë varësisht se a gjendet pranë ndonjë gjymtyre të fjalisë së shprehur me emër, mbiemër, përemër a numëror, ose pranë ndonjë foljeje. Duhet theksuar se fjala PRANË kur përdoret si ndajfolje në përgjithësi përdoret drejt. Në lidhje me këtë shih: FGJSSH, Prishtinë, 1981, f. 1529!

Përkitazi me këtë le t’i përmendim disa shembuj kur kjo fjalë përdoret drejt ( pra si ndajfolje): “Bibliotekën e kishte pranë” (afër, përbri et.), “Dua të kem pranë”, “Ai gjithmonë librin e mban pranë” etj.

Mirëpo kur fjala PRANË përdoret para emrit, mbiemrit, përemrit, numërorit, kryen funksionin e parafjalës. Dhe këtu po bëhen gabime në vazhdimësi në përdorimin e saj, duke devijuar kuptimin e fjalisë.

Sa për ilustrim, këtu më poshtë, po i përmendim disa shembuj të përdorimit gabim të kësaj fjale, të marrë nga shtypi ose nga mjete të tjera të informimit, si: “Lajmërohen anëtarët e partisë PRANË Qendrës që patjetër të marrin pjesë në mbledhje!” . “Unë i ndjek studimet rregullisht PRANË fakultetit filozofik”. “Komisioni për zbatimin e konkurseve PRANË shkollës fillore të Sheremnetit shpall konkurs (“Rilindja”, Prishtinë, 23.12.1981, f. 19)., “I lutem komisionit për marrëdhënie pune që të më pranoj punëtor PRANË kësaj organizate(!)”. “Inspektori i punës në Prishtinë, vitin e kaluar, ka paraqitur 112 kërkesa për fillimin e procesit për kundërvajtje PRANË Gjyqit Komunal në Prishtinë” ( “Zëri”, 17.10.1981, f. 9). “Kjo njësi industriale PRANË Ministrisë së Ekonomisë duhej t’i kryente vetë këto punë” etj.

Siç u theksua më lart, përveç si ndajfolje, fjala PRANË përdoret edhe si parafjalë, kur gjendet, siç thamë, pranë ndonjë emri, mbiemri etj. të rasës rrjedhore dhe tregon vendin afër të cilit kryhet një veprim , ose ndodhet dikush a diçka, drejt të cilit lëviz, shkon, afrohet dikush etj. , afër. Pranë meje. Fare pranë tij. Pranë shtëpisë sime. Pranë një pylli, një sheshi. Pranë rrugës. U ul pranë saj, tij. Shkoi pranë nënës etj. (FGJSSH, f. 1530).

Duke i vërejtur këta shembuj, duket sheshit se fjala PRANË e përdorur në disa mjete tona të informimit publik, është përdor gabim. Tek fjalia “Lajmërohen të gjithë anëtarët e partisë PRANË qendrës…” fjala PRANË nuk duhet të qëndrojë aty, nga se ndërron kuptimin e fjalisë. Fjalia e drejtë do të ishte “Lajmërohen të gjithë anëtarët …E QENDRËS ( e jo PRANË QENDRËS). Ose fjalia “Unë i ndjek studimet rregullisht PRANË këtij fakulteti” kuptimisht del, sikur unë i ndjek studimet jo në fakultet (jo brenda në katedër përkatëse) por diku afër fakultetit (!)”. Po kështu duhet të dalin edhe shembujt e tjerë: “Kjo njësi industriale E MINISTRISË (e jo PRANË MINISTRISË); “Komisioni për zbatimin e konkurseve I SHKOLLËS FILLORE ( e jo PRANË SHKOLLËS FILLORE)… etj.

Në disa raste parafjala PRANË do të duhej të zëvendësohej me parafjalën NË. P.sh. “I lutem komisionit të më pranojë punëtor NË këtë organizatë” ( jo PRANË kësaj organizate). E njëjta gjë vlen edhe për shembullin tjetër: “Unë mendoj se do të duhej të hapej ndonjë degë NË ndonjë fakultet …ku do të trajtoheshin probleme gjuhësore”, e jo: “ Unë mendoj se duhet të hapet ndonjë degë PRANË ndonjë fakulteti, ose akademie, ku do të trajtoheshin probleme gjuhësore”, që e dëgjuam një emision special kushtuar kulturës së gjuhës në emisionet e televizionit (TVP, 8.04.1984, ora 13.30).

Duke përfunduar këtë trajtesë, mendojmë se është me interes të përmendim edhe një herë se ndajfolja a parafjala PRANË duhet të përdoret aty ku e ka vendin në fjali përkatëse, për të cilën gjë u bë fjalë këtu. Prandaj, si në të folurit e përditshëm, ashtu edhe në shkrime kjo fjalë të stabilizohet, e jo ta përdorim edhe atëherë, kur kjo nuk luan kurrfarë roli në fjali. Duhet ditur pra, të përdoret drejt, edhe kur kjo fjalë përdoret si ndajfolje, por edhe si parafjalë.

Botuar në “Gjuha shqipe”, Prishtinë, 1985, f.30