Për hapjen e shkollës së parë shqipe përveç anëtarëve të Këshillit Iniciues dhe mërgimtarëve kanë dhënë një kontribut vendimtar, edhe përfaqësuesit e institucioneve zvicerane, për Kantonin e Glarus-it; ministri i arsimit z. Fritz Weber, z. Luis Bügler, sekretar i arsimit dhe Maya Hauser, koordinatore e arsimit për vendas dhe të huaj. Ata me qëndrimin e tyre të drejtë penguan fushatën e Ambasadës Jugosllave më 1990 dhe i hapën rrugë shkollës së pavarur shqipe në Zvicër.
Intervisen e zhvilloi: Vaxhid Sejdiu
( Bashkëbisedim me themeluesit e Shkollës së Parë Shqipe në Zvicër z. Selami Bajrami dhe Azem Sadullahu)
Të bisedosh me dy nga themeluesit e Shkollës së Parë Shqipe në Zvicër (z. Selami Bajrami dhe z. Azem Sadullahu), është jo vetëm nder por edhe kënaqësi. Të shfletosh albumin e tyre të përpjekjeve në rrugëtimin kombëtar për hapjen e pikave shkollore në Kantonin e Glarus-it është diçka e veçantë. Dikur (më 1990) hapja e një pike shkollore jashtë Ambasadës së Jugosllavisë, ishte çështje politike, që kishte natyrisht edhe pasojat e saj. Prandaj ky aktivitet në shërbim të shkollës shqipe ishte dhe është akt atdhetarie, të cilin akt e morën mbi supe veprimtarët e Këshillit Prindëror të Kantonit të Glarus-it, në krye me kryetarin e saj z. Selami Bajrami dhe më 20 Shtator 1990 hapën edhe Shkollën e Parë shqipe, në Bilten, të kantonit të Glarus-it, që në fakt ishte edhe shkolla e parë në Zvicër.
- Si ndiheni sot pas 30 vjetësh?
- (Përgjigja është e thjeshtë ashtu siç ishte dhe është puna e tyre në shërbim të shkollës shqipe. E thjeshtë, e urtë, dëshirë dhe ideal). Ndajnë të njëjtin mendim: në bashkëpunim me anëtarët e Këshillit prindëror kemi kryer një obligim kombëtar ndaj fëmijëve tanë dhe ndaj të gjithë fëmijëve, që po lindin dhe po rritën në vend të huaj.
- Ç`do të thotë të hapësh shkollë shqipe jashtë ombrellës së Ambasadës së Jugosllavisë, më 1990?
- Selami Bajrami: Ishte një përpjekje që të konfrontonte me ligjet e shtetit, nën sundimin e të cilit, ishin të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi…
- Azem Sadullahu: Ishte një përpjekje që kishte rrezikun politik, por mbi të gjitha dominonte vullneti, dëshira dhe ideali për t`u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga vargojt e politikës jugosllave.
- A ishin pjekur kushtet për një gjë të tillë?
- Selami Bajrami: Duke e njohur diskriminimin dhe kufizimin e të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetonim nën Jugosllavinë antishqiptare, ne që ishim në mërgim mendonim se kishte ardhur momenti të veprojmë.
- Azem Sadullahu: Ishte dëshirë e të gjithë prindërve njëherë e përgjithmonë të kemi shkollën tonë të pavarur, të cilën e formuam me djersën e mërgimtarëve shqiptarë të të gjitha fshatrave të kantonit të Glarus-it.
- Nga jeni me prejardhje apo vendlindja?
- njëzëri: ne jemi nga Kumanova, qytet që kanë zënë vend të gjitha politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve.
- Kishit ndihmesën e bashkatdhetarëve:
- Selami Bajrami: Natyrisht se po.
- Azem Sadullahu: Pa ndihmën dhe mbështetjen e tyre ishte e pamundshme të bëhej diçka.
- Kanë kaluar 30 vjet prej se është hapur shkolla e parë shqipe në Zvicër, si ju duket sot ky përvjetor?
- Selami Bajrami: Shkolla shqipe në kantonin tonë ka pasur dy etapa të zhvillimit të suksesshëm. E para nga viti 1990-2001 dhe e dyta nga viti 2009-2018
- Në fazën e parë ishin themeluesit e shkollës shqipe, të cilët bashkë me anëtarët tjerë: Jakup Sabedini, Prend Markaj, Muhamet Ramadani, Jahi Zeqiri dhe Naser Jusufi e organizuan mjaft mirë shkollën shqipe në Kantonin e Glarus-it
- Azem Sadullahu: Dhe e dyta, pas një pauze gati 8-9 vjeçare, me ardhjen mësuesit Vaxhid Sejdiu, i cili së bashku me mësuesit Qefsere Sejdiu dhe Endrit Mulaj, si dhe veprimtarët e arsimit shqip Sahit Idrizi, Shaban Asani, Selami Bajrami, Afrim Ibishi, Afrim Rexhepi, Nexhat Hajdari, Emrush Hajdari, Musa Salihu, Avdyl Asani, Fuat Sherifi, Agim Hoxhaj në kantonin tonë filloi një epokë e re, e shkollës shqipe. Sa që shkollat: në Glarus, në Niederunen, në Netsal, në Bilten, në Näfels, në Mitlödi, në kantonin tonë përsëri u shndërruan në “çerdhe” të gjuhës shqipe.
7. Si ishin atëherë përpjekjet për hapjen e shkollës së parë shqipe në Zvicër,?
- Selami Bajrami: Rrugëtimi natyrisht nuk ishte i lehtë, mjaft i vështirë, me pengesa të ndryshme. Kishim edhe pengesa nga Ambasada Jugosllave, e cila ndërhynte në Drejtorinë arsimore Zvicerane duke mos dashur të na japin objekte shkollore (klasa) për mësim. Por ia dolëm.
- Azem Sadullahu: Pengesat ishin të natyrave të ndryshme, kishim edhe presion
8. Si erdhi deri te themelimi apo hapja e Shkollë së Parë Shqipe në Zvicër?
- Selami Bajrami: Siç thashë, dëshira dhe vullneti i madh që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë ta mësojnë gjuhën amtare. Por, edhe ndihma e institucioneve arsimore kantonale nuk ka munguar, më të zëshmit për hapjen e shkollës shqipe kanë qenë, ministri i arsimit z. Fritz Weber, z. Luis Bügler, sekretar i arsimit dhe Maya Hauser, kordinatore e arsimit për vendas dhe të huaj.
- Azem Sadullahu: Ky vullnet dhe kjo dëshirë ishte e të gjithëve.
9) Cilët ishin bashkëveprimtarët tuaj?
- Selami Bajrami: Prindërit, ata na jepnin forcë që të punojmë pa pushim.
- Azem Sadullahu: Në veçanti anëtarët e Këshillit: Selami Bajrami, Shaban Asani, Sakip Alili, Agim Zeqiri, Imer Murati, Rrahim Shehu, Nevzat Kamberi, Tahir Sadiku etj.
- Cilët ishin mësuesit e parë?
- Selami Bajrami: Fillimisht mësuese e parë ka qenë Drita Krasniqi, pastaj janë angazhuar Ylfete Zymberi, Ziharete Mazllëmi, Shenadije Berisha, Burbuqe Hasani, Hamit Krasniqi etj.
- Azem Sadullahu: Pas disa përpjekjeve arritëm me përfaqësuesit e Arsimit në Prishtinë, të biem në kontakt me mësuesen Drita Krasniqin edhe ne si këshill prindëror e angazhuan në procesin mësimor, dhe i siguruam rrogën për dy muaj dhe banesën.
- Në fillim sa klasa kishte dhe cilat ishin ato, ku ishin hapur?
- Selami Bajrami: Fillimisht në Bilten dhe pastaj Niederurnen, Oberurnen, Näfels–Mollis dhe Rüti GL dhe në Schwanden.
- Cili është dallimi në mes dikur dhe sot?
- Azem Sadullahu: Punohej më shumë, numri i veprimtarëve të arsimit shqip ishte shumë më i madh
- Azem Sadullahu: Kemi pasur mbledhje, takime me prindër dhe angazhime të ndryshme të cilat e mbanin gjallë aktivitetin shkollor.
13. Si është tani gjendja e shkollave shqipe në kantonin tuaj?
- Selami Bajrami: Momentalisht numri i nxënësve është shumë i vogël, është dëshpëruese
Azem Sadullahu: mendoj se LAPSH kohëve të fundit nuk është duke e kryer detyrën e saj si duhet.
- Si është gjendja e shkollave shqipe në Zvicër?
- Selami Bajrami: E pakënaqshme, veçanërisht në kuadër të LAPSH-it nuk kemi ndonjë aktivitet serioz në organizimin e shkollë shqipe. Kryesinë qendrore për Zvicër nuk e shohim fare në aktivitet për organizimin dhe hapjen e shkollave shqipe.
- Azem Sadullahu: Me vite në kuadër të LAPSh kemi rënie të numrit të nxënësve, veçanërisht në 7-8 e fundit.
15. Çka do t`iu kishe preferuar prindërve shqiptarë në Zvicër?
- Selami Bajrami: Nëse fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë nuk e ruajnë gjuhën amtare pasojat janë të rënda, gjuha amtare është e nevojshme si buka dhe uji
- Azem Sadullahu: T`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë sepse një gjë të tillë e preferojnë edhe ekspertët zviceranë, të cilët thonë se pa njohjen e gjuhës amtare shumë vështirë e kanë të mësojnë gjuhën e huaj.
- Kohëve të fundit në portale të ndryshme lexohet se LAPSh feston 30 vjetorin, a është me të vërtetë 30 vjetori i LAPSh-it?
– Selami Bajrami: Jo, LAPSH nuk i bën 30 vjet, por 25 sepse LAPSh është themeluar më 26 mars 1995 dhe të gjithë ata të cilët flasin kështu nuk i bëjnë nder.
– Azem Sadullahu: 30 vjet i bënë Shkolla Shqipe“Hasan Prishtina” në kantonin e Glarus-it. Ka fjalë se edhe Shkollën e parë shqipe, këtu në Glarus, e ka hap ky apo ajo, por e vërteta është një. Shkollën e Parë shqipe e kanë hap anëtarët e Këshillit Prindëror në krye me kryetarin z. Selami Bajrami.
Faleminderit për intervistën!
Shëndet dhe gjithë të mirat!































