11.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

73 vjet veprimtari të Ansamblit Folklorik Autokton “RUGOVA”

Për më se shtatë dekada vallet e veshjet janë ruajtur ashtu siç janë trashëguar, e që kjo e bënë veçantë këtë ansambël që denjësisht e përfaqësoi Kosovën në festivale brenda dhe jashtë vendit, aq më parë që të gjitha mjetet me të cilat luhet dhe vallëzohet, janë origjinale, pa improvizime, thotë Vesel Nikçi, kryetar i AFA “Rugova” , i cili sot shprehi keqardhje që shkaku i koronavirusit nuk mundi të shënohet ky përvjetor.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Sot, për fat pa ndonjë manifestim kaloi 73 vjetori i themelimit të njërit ndër ansamblet më të vjetra folklorike të Kosovës, ai i AFA “Rugova”, që qëndroi stoikisht në skenë për më tepër se shtatë dekada , duke e përfaqësuar Kosovën në manifestime të rëndësishme kulturore dhe festivale kombëtare e ndërkombëtare dhe çdo herë duke u kthyer nga to me trofe e mirënjohje të veçanta.

Këtë ansambël, unik si për nga jetëgjatësia e themelimit ashtu edhe për nga raportuari që përherë ka në skenë: këngën, vallen dhe veshjen origjinale , që e përcjellin brezat e këtij ansambli që në tërë përmbajtjen është autokton, madje edhe në lojëra tradicionale që i kultivon dhe zhvillon në vet trevën e Rugovës. Pata fatin që ta përcjelli dhe prezantoj me tekst e me foto, por edhe me një dashuri të veçantë, si në lojrat tradicionale të Gushtit në Rugoivë, ashtu edhe në Festivalin  “Rapsha” në afërsi të Tuzit në Malësinë e Madhe e në fillim të këtij viti edhe në Uster të Kantonit të Cyrihut. Dhe çdo herë kam pa sesi loja e veçantë në skenë e këtyre artistëve ngrit në këmbë qindra spektatorë, që përherë i duartrokasin këtyre ruguvasëve që këngën e kënduar në shpatinat e tyre e bartën edhe në metropolet më të mëdha të Evropës dhe jashtë saj.

Ndaj edhe ishte vet kryetari i këtij ansambli, një nga antarët që edhe vet është pjesë e pandashme e kësaj trupe artistike, Vesel Nikçi, i cili uroi me pak rreshta përmes fb antarët e trupës që drejton:

“Të nderuar artist të Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” , ju veteran të ansamblit , familjar të anëtarëve që nuk janë gjallë, ju simpatizant dhe përkrahës , Rugovas kudo që jeni urime gëzuar 73 vjetori i punës Ansamblit .Sot duhej të shënohej kjo ditë në kuadër të 21 vjetorit të çlirimit Kosovës ,por situata me kufizimet e tubimeve për shkak Korona Virusit na pamundësoj këtë kremtim. Duam të kujtojmë përmes një dokumentari të shkurtër gjithë ata që punuan dhe kontribuuan duke ngrit imazhin shqiptar kudo në botë e që na bënë të ndihemi krenar dhe me mburrje lartësojmë punën e themeluesit Ramë K. NIKÇI me shokët Ramë Elezi, nana Lake, Halil Faslia, Ramë Idrizi, Gjyle Hamzja e shumë burra e burrëresha të cilët ishin ambasador të prezantimit kulturës se lashtë të etnoregjionit Rugovës. Urime juve gjenerata e re e pasluftës qe me punë vetëmohuese keni mishëruar me sukses traditën e gjyshërve dhe stërgjyshërve që vetëm vitin e kaluar, i keni sjellë Ansamblit dhe Rugovës shumë çmime të para dhe mirënjohje. Uroi të kremtoni 101 vjetorin . Vesel Nikçi,” ,

Me këtë rast shkëputa edhe disa fragmente nga një intervistë e më hershme e z. Nikqit, në cilësinë e kryetarit të Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” , cili ndër të tjera ka deklaruar se:

“Ansambli folklorik autokton “Rugova” brez pas brezi ka ruajtur vallet, këngët, veshjet, të tjera pjesë të traditës rugovase. Për më se shtatë dekada vallet e veshjet janë ruajtur ashtu siç janë trashëguar, që e bën të veçantë Ansamblin.

A më tej tregon se :  “Deri më tani pjesë e Ansamblit kanë qenë mbi 500 solistë, nëpër gjithë këto vite. Kemi pasur 1000 takime kulturore, mbi 30 festivale, lokale dhe botërore, prej tyre 15 medalje të arta, 16 të argjendi, 35 të bronzta dhe shumë diploma, mirënjohje që e pasurojnë komplet ansamblin ‘Rugova’”, ka thënë Vesel Nikqi. Ai shprehet se “Rugova” promovon vlerat përmes takimeve të ndryshme kulturore, festivaleve, manifestimeve. “Po ndikojmë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të asaj që është autoktone sepse vallet tona nuk i ka prekur koreografia, as veshjet nuk janë bërë nga kostumografët”, ka treguar Nikqi, sipas të cilit veshja e burrave është ruajtur më shumë se e ajo e grave. “Rajoni ynë përmes Ansambli i ruan veprat më origjinale.”.

Ai shton gjithashtu se: “Të gjitha mjetet me të cilat luhet dhe vallëzohet, të gjitha janë origjinale, nuk ka improvizime, kjo e ka bërë atë specifikën të Ansamblit tonë. Nuk ka koreografi, nuk ka përpunime,  janë ato që janë trashëguar brez pas brezi”, ka treguar ai për Ansamblin. Me shënimin e 69-vjetorit ka filluar përgatitjet për 70-vjetorin e themelimit të ansamblit. “Është një trashëgimi që është e vështirë të ruhet, prandaj shteti duhet të investojë se është rrezik të humbet”, ka thënë më tej Vesel Nikçi, të cilit me këtë rast edhe nga pozita ime prej një miku gazetari, por edhe dashamiri të këtij ansambli, i uroj si z. Nikqi ashtu edhe të gjithë anëtarëve për këtë përvjetor, me dëshirën që përvjetorët tjerë të shënohen në kushte edhe më të mira e mbi të gjithë:  brezat e ri të jenë pasardhës të denjë të gjyshërve e stërgjyshërve edhe si këngëtarë e edhe si valltarë me instrumentistë.

(Me këtë rast po postoj fotot e mija origjinale, disa nga to për herë të parë që i kam shkrep në Rugovë, Pejë, Tuz e Uster të Cyrihut, le të shërbejnë edhe si një kartvizitë urimi për ansamblin e pazëvendësueshëm “Rugova” )