14.9 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Shoqata “Bytyçi”, përmes plisit, tubon në Dajt figura dhe grupe të shumta artistike

Për të 16 herë në Dajt të Tiranës, organizuar nga kjo shoqatë, Festa e Plisit të Bardhë është kthyer në një nismë të mbarë e për tu shpallur atë Festë Mbarëkombëtare, e që sivjet u shpall edhe një konkurs kushtuar figurës madhore të At Gjergj Fishtës, për çka edhe pati një konkurrim të rreth 60 krijuesve letrar

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Në kuadër të shtegtimeve të mija trojeve shqiptare në shoqërim të dy shkrimtarëve: Musa Jupollit që jeton në Paris dhe Fatmir Halimit në Kosovë, të ftuar nga avokat Agron Isa Gjedia, më 25 Gusht 2019 mora pjesë në manifestimin tradicional” Festa e Plisit të Bardhë”, si një nismë e për tu shpallur Festë Mbarëkombëtare e që sivjet u organizua për të 16 herë me radhë në malin e Dajtit mbi Tiranë. Këtë festë prej vitesh me shumë mund e sakrifica e udhëheq Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë- Prizren.

Konkurs që lidhej me emrin dhe veprën e “Homerit Shqiptar”

Kjo ishte hera e dytë për mua që merrja në këtë manifestim me karakter sa kulturor aq edhe kombëtar, e që sivjet përherë të parë pas vdekjes, i kushtohej figurës madhore të At Gjergj Fishtës, për çka edhe ishte shpall edhe një konkurs letrar që lidhej me emrin dhe veprën e “Homerit Shqiptar”. Rezultatet e konkursit u shpallën pasi konkurruesit me punimet e tyre, ata që ishin të pranishëm lexuan punimet e tyre e pastaj u ndanë edhe çmimet përkatëse nga organizatori.

Festa e Plisit të Bardhë edhe sivjet në ambientet shumë piktoreske, por edhe atraktive, pasi deri në malin e Dajtit udhëtohet me teleferik, përmes një udhëtimi prej afro 20 minutash, që të ofron pamjen e rritës së Tiranës, tashmë një milionëshe.

Ku ishte Tirana 40 vjet më parë?!

E veçanta e kësaj vizite për mua ishte se pikërisht 40 vjet më parë, në Gushtin e vitit 1979, kisha vizituar për herë të parë Tiranën me ansamblin e Kastriotëve të Ferizajt, kur kryeqyteti shqiptar në Sheshin “Skënderbe” kishte vetëm katër vetura taksi Fiat polonez, e që kur desha të marr njërin për të udhëtuar në Elbasan, tek disa nga dajat e mi, shoferët më thanë të gjithë se ishin të zënë për dasma!  E kur thash se mund të udhëtoj edhe me tren shoqëruesit më thanë se ishin shit të gjitha biletat!

Ajo është një histori tjetër, se ku ishte Tirana dje e ku është sot, ku zakonisht të duhet një orë udhëtim për ti kaluar kolonat e veturave.

Dajti vendtakim artistësh e grupet e trojeve etnike

Manifestimi në Dajt, që kishte tubuar artistë dhe grupe artistike nga të gjitha trojet etnike, filloi me një fjalë përshëndetëse të organizatorit, kryetarit të shoqatat “Bytyçi”, Agron Isa Gjidia si dhe me recitimin e vargjeve të “Lahutës së Malcis” të Fishtës, edhe atë nga kush tjetër pos nga aktori ynë i madh Çun Lajçi, i cili edhe kësaj here fitoi admirimin dhe duartrokitjet e shumta të publikut. Po ashtu që në fillim të pranishmit i përshëndeti edhe bashkëfshatari im, ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, i cili foli për rëndësinë e këtij manifestimi që bashkën artist e grupe nga trojet e ndryshme shqiptare.

Emra të njohur të kulturës kombëtare

Ndaj edhe me këtë rast pati mjaft gupe artistike, veçmas nga Shqipëria e Veriut, si dhe nga viset jashtë hartës gjeografike të Shqipërisë, siç janë Presheva, Kosova e Tetova.  borri i madh i restorantit të Dajtit ishte një lendinë ku grupet artistike me kostume kombëtare i dhanë freskinë ebukurinë Festës së Plisit, duke e kthyer atë në një gazmend të vërtetë popullor, e ku nuk mungonin as artistë të moshuar që i kanë kontribuar kulturës kombëtare në dy anët e kufirit që i ndanë shqiptarët vetëm fizikisht, siç ishin: Ramazan Bogdani (85 vjeçar), studiuesin e shquar të etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë, Ali Rrustem Mulaj (90 vjeçar), kryeurtaku i Krahinës së Bytyçit “Mjeshtër i Madh”, apo piktorja  Flutura Maçi, Tiranë.

Rreth 60 krijues në konkursin letrar

Krahas, këngëve e vallëzimeve pati edhe një revy shumë simpatike mode me kostume të rajoneve të ndryshme shqiptare, si edhe një orë letrare, ku një juri profesionale e konkursit letrar mbarëkombëtar “Ndue Bytyçi” në përbërje nga Agim Doçi (kryetar jurie), Albi Lushi e Zyra Ahmeti nga Shqipëria, Fatmir Halimi nga Kosova, Ali Daci nga Mali i Zi dhe Sevdail Hyseni nga Lugina e Preshevës, shpalli fituesit e pesë çmimeve letrare dhe një për inkurajim.

Nga ajo që arritëm të mësojmë pati hiç më pak se 58 konkurrues, ndërsa që juria përzgjodhi dhe shpërbleu poetët: Preng Cub Lleshi, Lekë Gjoni, Namik Selmani, Leonora Bruçaj nga Shqipëria dhe Musa Jupollin nga Kosova me qëndrim në Paris, duke i ndarë çmimin e dytë për poezi.

Vizita në Kukës me një ndej me shkrimtarin Petrit Palushi

Përndryshe, më 24 dhe 25 Gusht 2019 në shoqërim të poetit Musa Jupolli dhe gruas së tij Gjeja dhe shkrimtarin Fatmir Halimi vizituam tri qytete të Shqipërisë: Kukësin, Rrëshenin dhe Tiranën dhe kudo që shkuam hasëm në mikpritje shumë të përzemërte e vëllazërore. Vizitën në Shqipëri kësaj radhe e filluam me Kukësin, kur në hyrje të këtij qyteti mikpritës, që na u gjet në ditët më të vështira, sidomos gjatë eksodit të luftës së fundit, ku edhe takuam shkrimtarin Petrit Palushi. Do theksuar se çdo takim me këtë intelektual të shquar të Kukësit edhe më të pasuron me shumë dije e fisnikëri. Ndaj edhe të shkoj në Shqipëri e të mos e takoj Petritin, sikur ndiej një mangësi.

Muzeu etnografik i Rrëshenit ruan vlera të çmueshme arti

Në qytetin e Rrëshen shkuam për të takuar piktorin Pjeter Marku, por meqë ai ishte në Tiranë aty takuam krijues, artistë e gazetarë, me të cilët jo vetëm që patëm një ndejë të ngrohtë vëllazërore, por edhe vizituam muzeun etnografik, ku ruhet një fond i trashëgimisë kulturore përplot vlera arti e kujtese.

Edhe takimet në Tiranë e Dajt ishin përplot miqësi e përzemërsi. E veçanta ishte se këtu takuam bashkëkombës nga të gjitha trojet etnike që kishin ardhur për të marrë pjesë në Festën e Plisit të Bardhë, të organizuar nga Shoqata “Bytyçi” . Po në Tiranë takuam edhe piktorin Pjetër Marku i cili më dhuroi albumin e tij me piktura e grafika të përzgjedhura.

Takimi në Dajt me oficerin që ndërroi Londrën për Luftën e Koshares

Ndërsa në Dajt, në mesin e shumë figurave e personaliteteve ishte edhe një nga komandantët e shquar të Koshares, oficeri i karrierës, miku im i kamotshëm Feriz Trezhnjeva, që ishte me të vëllain e nipin dhe mbesën. Nga ajo që kam arrit të müesoj nga zonja Shukrije Ramadani, gruaja e hero Agim Ramadani, Agimi e patë lut Ferizin që ti ushtrojë ushtarët në përdorimin e topave vetëm për një muaj e sa, por Ferizi, nuk deshi atë ditë e sot të ndahet nga përgatitja e ushtrisë së Kosovës, duke qenë aktualisht edhe këshilltar i ministrit të mbrojtjes në dorëheqje- Rrustem Berishës.

Po këtu në Dajt takuam edhe poetin Namik Selmani dhe fotografin e mirënjohur gjakovar Shkelzen Rexha e shumë të tjerë.
Ndaj edhe në fund edhe një falënderim për Shoqatën “Bytyçi”, që edhe kësaj radhe na bëri bashkë me shumë artistë e grupe artistike nga shumë anë të trojeve etnike, por edhe me libra të reja që na dhuruan vëllezërit tanë krijues