19 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

U mbajtë edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të artit «Nën braza të kohës» në Strellc të Decanit.

Në javën që shkoi u mbajt edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të artit “Nën braza të kohës“, në Strellc të Deçanit. Edhe ky edicion u përqendrua te Kulla tradicionale, që shërbeu si subjekt dhe objekt i festivalit. Artistë, dramaturgë, arkitektë, aktorë, muzikantë dhe pjesëmarrës nga bota akademike u tubuan në këtë manifestim ndërkombëtar. Ky event përmblodhi një seri me aktivitete paralele e të ndërlidhura të teatrit, arteve pamore, artit konceptual e muzikës. Risia kësaj radhe ishte pjesëmarrja aktive e studentëve dhe profesorëve të arkitekturës. Kulla tradicionale shqiptare u zhbirua nga ana profesionale me skica, vizatime, video, dizajn, të cilat u inkuadruan në performancën artistike. Shtrati etno-kulturor, përzierja e pjesës folklorike me mizanskenën konceptuale morën rëndësi. Të gjitha shfaqjet u kryen brenda ose para kullës, për t’i dhënë një dimension sa më fizik e popullor qasjes teatrore.

Ekspozita, aksione dhe instalacione u punuan, zhvilluan e prezantuan nga studentë dhe profesorët të Studio 3 të Universitetit të Innsbruck-ut, Akademisë së Arteve Pamore në Vjenë (Akademie der Bildenden Künste – Wien) dhe të UBT-së nga Prishtina.

I veçantë ishte pelegrinazhi ‘happening‘ në rrugën Strellc-Isniq. Artistë ndërkombëtarë kryen aktivitete në raport me gjeografinë dhe banorët vendas duke arritur një interaksion tejet impresiv. Ky shtegtim në peizazhin etno-grafik lokal lidhej ngushtë me studimin antropologjik të autores së mirënjohur Berit Backer. Kjo studiuese ka hulumtuar thellë doket dhe sociologjinë e familjes shqiptare, sidomos aktivitetin njerëzor brenda hapësirës së kullës në Isniq përgjatë viteve të ‘70-a. Studimi i saj u përdor si inspirim fillestar i agjendës së aktivitetit, që përmbante një program interdisiplinar. Edhe në këtë edicion krijimi i një bashkëveprimi e raporti funksional midis performancave ishte prioritar. Artistët vendas dhe ndërkombëtarë arritën një bashkëpunim sa gjuhësor edhe fizik, duke shkrirë e tejkaluar kufijtë kulturorë.

Materia tekstuale e përdorur në këtë edicion përbëhej nga: Medea – Arti i Ekzilit, The Living Theatre – People’s Project, Peisazhe me Argonautët, Medeamaterial, Loja e Medeas, Kthimi në brazë, Nita, Odisea – Kënga e 17-të, Uliksi – Kapitulli i 18-të, Poezi, ninulla e këngë tradicionale shqiptare.

Këtë festival e përcolli kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti.