Kur njerëzit vrapojnë pas një personi qorrazi, rreziku për të hynjëzuar një person është i madh! Por pse duhet njerëzit ta kenë një person pas të cilit apo për të cilin lidhen në ideologji, veprimtari apo thjesht pa e ditur saktësisht pse!?
Ta zëmë, në futboll janë Ronaldo e Messi dy lojtarë që me vite bëjnë konkurrencen më të madhe në botë! Që të dy ia kanë shtuar vlerën futbollit dhe ekipeve ku ata luajnë. Shikuar më thjeshtë, ekipet pa këta dy do të ishin të mëdha por do të iu mungonte një lojtar për të cilin mbushet çdo herë stadiumi e ulen para ekraneve televizive miliona shikues! Të paktën unë nëse mungon njëri nga këta dy në ekipet përkatëse, dëshira për t’i shikuar është minimale!
A guxojmë tash të themi se Reali dhe Barcelona nuk funksionojnë pa këta dy, jo!? A do të ishin më të varfëra të dy ekipet pa këta dy, gjithësesi!? Të varfëra sepse që të dy ekipet e lidhin suksesin e viteve të kaluara pandarshëm me emrin e këtyre dyve! Që në të dy ekipet, kur kanë në fushë Ronaldon e Messin, loja është më e mirë dhe ka një «kokë» që di t’i ngreh linjat ka duhet shkuar topi! Po sikur të sabotoheshin këta dy, sa do të ishte suksesi i dy ekipeve? Dyshoj jo kaq i mirë si me ta!
Ne shqiptarët, historikisht kemi probleme me kultin! Në Shqipëri për gati gjysmë shekulli, çdo gjë është lidhur me Enver Hoxhën! Në Kosovën e okupuar, ata që mbanin pozita në shtetin jugosllav, kult e kishin Titon!
Me shkatërrimin e Jugosllavisë, Tito iku e lindi Rugova! Me përfundimin e luftës u ndanë kultet me kryetarët e partive!
Mund ta keni dëgjuar shpeshë se «po të ishte Rugova gjallë, ndryshe do të ishim!?». E dimë shumë mirë sesa ishte gjallë, vërtetë ishim ndryshe – të okupuar e servilizuar skajshmërisht!
Kulti tjetër doli pas lufte: Hashim Thaçi! Çuditërisht, ata që Hashimin e ngrehin në qiell, në shumicë as të shkruajnë si duhet nuk dijnë! Rastësi? Assesi! Sistemi arsimor si dhe ngritja në pozicione politike nga askushi në ministra ka qenë aq i shpejtë, saqë shumica kanë harruar se duhët shkolluar si duhet para se të udhëheqësh me 2 milionë banorë!
Albin Kurti! Ndoshta për dikë mund të jetë kult, por Albini para së gjithash është ideatori dhe figura shpirtërore e një lëvizje, që pa të ndoshta do të funksiononte, por nuk do të arrinte kurrë këtu ku është! A duhet bërë Albinin kult? Jo, assesi! A duhet patur inat Albinin? Po, gjithësesi!
Inat sepse është një nga politikanët më të zgjuar intelektualisht në gjithë trevat shqiptare! Inat, sepse është shembull sesi duhet punuar e dashur atdheun!
Inat sepse në asnjë moment nuk e ka fiksuar personin e tij pas pasurimit material!
Lëvizja Vetëvendosje, si çdo subjekt politik, mund të ketë njerëz nga brenda që ndihen të anashkaluar! Por mënyra më e mirë e tejkalimit të këtyre «anashkalimeve» është diskutimi i brendshëm dhe i arsyeshëm! Çdo ofendim nga njerëz të caktuar për cilindo person brenda subjektit, është jo vetëm i ulët, por aspak njerëzor!
Demokracia e ka një derë shumë transparente, ajo është dera e hapur për të gjithë ata që duan të hyjnë apo të dalin në apo nga një subjekt politik! Andaj, çdo tendencë për të dobësuar personin apo subjektin, është e ligë dhe e papranueshme!

Shahin Sallahu është i lindur më 30.01.1975, në fshatin Shkabaj, Prishtinë.
Shkollën fillore në fshatin Shkabaj 1981-1989, pastaj Gjimnazin «Sami Frashëri» 1989-1993 në Prishtinë.
Studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Juridik 1994-1997 (të papërfunduara).
Anëtar i LKÇK-së dhe i ndjekur politikisht! Për këtë arsye nga viti 1997 i mërguar në Hannover të Gjermanisë! Për 2 muaj, deri në përfundimin e luftës, ushtar i UÇK-së.
Momentalisht pronar i një firme ndërtimtarie ne Hannover te Gjermanisë. Nga koha në kohë Shahini shkruan edhe per portalin Mekulipress.

























