Nga pozita e kryetarit të parë AKV “Kastriotët”- Ferizaj përshëndes tërë atë armatë artistësh që gjatë 50 vjetëve afirmuan në manifestime e festivale kombëtare e ndërkombëtare qytetin e tyre, por edhe duke kujtuar me respekt me dhjetëra anëtarë që më nuk janë në këtë botë, por që lanë gjurmë në veprimtarinë e bujshme të kësaj trupe artistike
Shkruan: Rexhep Rifati, kryetar i parë AKV “Kastriotët”- Ferizaj
Cyrih, 18 Qershor 2017
Pikërisht sot, më 18 Qershor 2017, mbushen plot 50 vjet nga themelimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” nga Ferizaj. Plot gjysmëshekulli veprimtarit të bujshme me batica e zbatica. Koincidencë apo rastësi: edhe mëë 18 Qershori 1967, ditën kur u themelua ansambli ishte po ashtu ditë e diele, ndonëse me një distancë gjysmëshekullore!
Me rastin e këtij jubileu gjysmëshekullor për qytetin e Ferizajt dhe kulturën tonë përgjithësisht, u drejtohem gjithë atyre që ishin ndër vite pjesë e anëtarësisë qoftë, si këngëtarë, valltarë, instrumentistë e koreografë apo drejtues e sponsores me një urim të përzemërt për punën dhe kontributin e tyre dhënë në këtë trupë artistike. Por njëherësh dua të kujtoj me pietet edhe gjithë ata që ishin pjesë e këtij ansambli, por që më nuk gjenden më në mesin tonë, ndërsa që për kontriburin e tyre do të kujtohen ndër breza.
Është e dhembshme që pikërisht dita e themelimit të “Kastriotëve” nuk do të shënohet me asnjë aktiviteti, ngase Këshilli për kremtim, ku gjithashtu jam edhe unë anëtar, manifestimin qendror të paraparë për 12 Qershor e shtyri diku për muajin Shtator 2017, për shkak të zgjedhjeve parlamentare!
Nga ideja deri tek themelimi
Pavarësisht nga kjo, me shpresë se i tërë ky vit do të jetë vit jubilar për “Kastriotët”, dua të regjistroj këtë ditë me disa fjalë filluar nga momenti se si erdhi ideja dhe u ndërmorën hapat e parë për themelimi i tij:
Ideja për themelimin e kësaj trupe artistike lindi si rezultat i një klime më të volitshme politike pas Plenumit të Brioneve, por edhe si dëshirë e angazhim i një grupi nxënësish të Normales së Ferizajt, që paraprakisht organizuan një koncert në shtëpinë e sindikatave të Ferizajt. Për këtë u bisedua në mjedise shkollore e shtëpi private. Po për këtë nismë me shokët e normales Qamil Bytyqin e Ramadan D. Ramadanin, paraprakisht biseduam edhe me udhëheqësit komunal, Sinan Sahiti e Halil Buçinca nga të cilët edhe morën mbështetje të plotë.
Pas disa përgatitjeve organizative thirrëm edhe mbledhjen konstituive për themelimin e kësaj shoqërie artistike në nivel komunal, brenda ndërtesës së Kuvendit të Komunës, sepse nuk ishim për një shoqëri lokale me karakter odash apo fshati. Ky akt solemn u realizua pikërisht sot e 50 vjet më parë kur edhe emri i Kastriotëve u përzgjodh nga tre emrat e propozuar në kuvendin themeltar. Propozimi për këtë emër doli nga profesori Naim Basha, e që u përqafa nga të pranishmit pasi ndërlidhej me 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
Ata që lanë gjurmë arti e entuziazmi
Në start “Kastriotët” u themeluan si Shoqëri – Kulturore Letrare, ndërsa pak më vonë Shoqëria Kulturo- Artistike, apo shkurt SHKA “Kastriotët”, gjë që ky emërtim figuroi edhe në vulat e para me përkrenaren e Skënderbeut, që na i siguroi, Halil Buçinca, një nga udhëheqësit komunal, njëherësh një dashamirë i madh arsimi e kulture.
Në këtë 50- vjetor të formimit të ansamblit, mbi të gjitha dua të kujtoj me respekt disa nga ata që dhanë një kontribut të veçantë për mbijetesën e “Kastriotëve”, por që tash prehen në amshim. Kujtimin e pashuar po e filloj me me organizatorin e shkëlqyeshëm, Hivzi Fazliu, njëherësh solist i talentuar dhe timonier që u parapriu gjitha sukseseve të “Kastriotëve” , gjë që atij i përket edhe mërita kryesore për mbijetesën dhe ngritjen e kësaj trupe artistike.
Gjithashtu, kujtoj me mall e pikëllim vdekjen e hershme në një aksident të dy anëtarëve ndër më të zellshmit, Ismet Topalli e Kadrush Stublla si dhe dy nga zërat zërat më të mirë që pati ansambli, Nol Berisha dhe Nazmije Hoxhën, që i dha vulë të veçantë koncerteve tona jashtë Kosove, pastaj doktor Hysen Demjahën dhe arsimtarin Gani Selimi, që të dy harmonikist të shquar, koeroografin Enver Futko, si dhe mësuesen Safete Ramadanin soliste si dhe arsimtarin Azem Bakoli që kreu punën e arkëtarit. Gjthashtu për kontributin e tyre në këtë shoqëri kujtoj me respekt edhe disa nga ata që ishin pjesë aktive që në themelimin e ansamblit, si : Sabri Berisha, Jahja Azemi e Faik Jashari, e të tjerë. Kërkoj ndjesë se mund të kem harruar edhe dikend pa dashje, ngase tashmë ka kaluar gjysmëshekulli nga themelimi.
Do të bëja mëkate po të mos përmendja drejtorët Qendrës së kulturës “Hivzi Sylejmani”, Ali Lubishtanin e Shukri Hoxhën. Angazhimi i Shukriut për përtëritjen e aktivitetit të “Kastriotëve” nuk pushoi as atëherë kur përballej me sëmundje dhe gjendjen e rëndë nën okupimin serb. Viza për themelimin e “Kastriotëve u përket dy ish- udhëheqësit e ferizajas, Sinan Sahiti e Halil Buçincën, siç i përket merita për mbështetjen tonë morale e atdhetare ish- kryetarit të Kaçanikut Sali Bajra, që e zgjodhëm edhe kryetar nderi të “Kastriotëve”.
Gjenerata artistësh ndër vite
Ndër vite e dekada u ndërruan gjenerata të shumta artistësh, duke bërë punë të madhe në kushte kryesisht vullnetare, qoftë si solistë, valltarë, apo koreografë e drejtues të ansamblit, disa nga ta arritën që të behën edhe instrumentistë të njohur në nivel të Kosovës, për çka merita i përket profesorit Fahri Beqiri, të cilit me këtë rast i shprehi mirënjohje të veçantë, si edhe të gjithë atyre donatorëve, kryesisht afaristë që ndihmuan me mjete “Kastriotët” dhe përgjithësisht mbijetesën e shoqatave dhe grupeve kulturore në periudhën e okupimit, por edhe ato institucione komunale të pasluftës- që i dhanë shtytje morale e financuare kulturës, ndonëse kjo ndihmë gjithsesi duhet të jetë në të ardhmen edhe më e madhe.
Krejt në fund urimi im u dedikohet artisteve që nder vite ishin pjesë e ansamblit, qoftë si solistë apo valltarë e sidomos atyre që tash e mbajnë gjallë trupën artistike me angazhimin e tyre permanent përmes pjesëmarrjes në festivale kombëtare e ndërkombëtaret. Sepse këta janë pikërisht ata që i japin rrugëtim të mbarë “Kastriotëve edhe në gjysmëshekullin e dytë, atëherë kur ne themeluesit nuk do të jemi më në këtë botë. Por megjithatë krenohemi që jemi përpjekur që Ferizajt ti lëmë një ansambël me një emër të dashur që na kujton derën e kastriotëve e traditë që do të kujtohet ndër breza.
































