20.6 C
Zürich
Samstag, September 19, 2026

Në Ludwigsburg, akademi e orë letrare kushtuar Trinomit të Lirisë

Të shtunën, më 16 Janar 2016,  në Ludwigsburg të Gjermanisë u mbajt një Akademi Përkujtimore e shoqëruar me orë letrare në nderim të tre Heronjve të Kombit: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla në organizim të shoqatave dhe të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, ku me pietet u kujtuan këto tri figura madhore të kombit, që u flijuan për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës  

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Në këtë akademi, të cilën e shpalli të hapur veprimtari dhe poeti Menor Thaqi, të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse iu drejtua Kryetari i Klubit «Bardhosh Gërvalla», Bedrush Nezaj, i cili përshëndeti familjet e martirëve, klubet e asociacionet që morën pjesë në këtë aktivitet, duke veçuar Shoqatën Atdhetare kulturore «Kadri Zeka» dhe Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, gjegjësisht, Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

Janari muaj i dhembjes dhe krenarisë kombëtare

Në nderim dhe përkujtim të martirëve, fjalimin kryesor e mbajti veprimtari Hafiz Gagica, bashkëveprimtar i Heronjve, i cili përkujtoi se muaji janar për kombin tonë që nga vdekja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut është shndërruar në një histori të dhimbjes dhe krenarisë tonë kombëtare. Një muaj që i ka tubuar në vete datat dhe ngjarjet e dhimbshme, e që tani më njihen si kohë të sakrificës, rezistencës dhe flijimit për atdhe !
Më tej Gagica potencoi se, 17 Janari, është një ditë e dhimbshme për Kosovën dhe kombin shqiptar, sepse në këtë ditë u vranë 3 pishtarë të lirisë, në kohën kur atdheut i duheshin më së shumti, kur lufta dhe rezistenca jonë kombëtare kishte fillua të merr kuptimin dhe dinamikën e një Lëvizjeje gjithëpërfshirëse për lirinë e Kosovës dhe viseve shqiptare !
Akti kriminal ndaj tri figurave kyçe të Lëvizjes tonë

Më 17 janar 1982, Gjermaninë e kishte mbulua një borë e madhe, dhe shumë rrugë ishin bllokua, pra kishte lëvizje të rralla në qytet! Mysafirë tek vëllezërit Gërvalla atë natë ishte Kadri Zeka, i cili duhej ta lajmëronte familjen e tij, sepse bisedat për bashkim dhe koordinim të dy grupeve politike LNÇKVSHJ dhe OML-ës kishin vazhdua edhe në orët e vona si dhe keqësimi klimës atmosferike, duhej shty kthimin, dhe Kadriu duhej të lajmëronte bashkëshorten në Zvicër, në mungesë të telefonit në banesë të Jusufit ishte detyrua të shkonte në një kabinë telefonike aty në Untergruppenbach afër Heilbronn-it, por kriminelët e UDB-së jugosllave ishin mirë të informuar, se atë natë ishin së bashku tri figurat kyçe të Lëvizjes tonë, por kriminelet nuk i kishte pengua bora e madhe për t’ua zanë pritën në dalje të banesës, dhe, me një akt kriminal të tyre, do të vriten në vend Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, kurse shkrimtari, poeti, këngëtari, intelektuali dhe politikani pragmatik, Jusuf Gërvalla nga plagët vdekjeprurëse do ndërron jetë pak më vonë në spitalin e Heilbronn-it.
Armiku shekullor serb e kishte planifikua mirë likuidimin e tyre, sepse më vrasjen e këtyre tri figurave kryesore në radhët e migracionit shqiptar në Perëndim, do të dobësohej pa masë aktiviteti dhe morali i Lëvizjes tonë për liri dhe pavarësi, dhe, se më këtë akt barbarë mërgata shqiptare do përlahej dhe përçahej në mes veti, si dhe do t’i nënshtroheshin më dhunë regjimit dhe përfaqësive konsullore jugosllave ! Por, ata gabuan rënd në llogaritë e tyre, ngase doli ashtu siç thoshte Jusuf Gërvalla; “se rezistenca jonë për liri, tani e ka marrë rrugën e vetë, ajo e ka fillua punën, dhe askush nuk ka më forcë që t’ia ndalë hovin..” !
Goditje e rëndë e Lëvizjes për liri e pavarësi

Lëvizja për liri dhe pavarësi, kuptohet, u godit rënd më këtë vrasje dhe humbje të shekullit për shqiptarët, por ajo nuk u ndalë për asnjë çast pas vrasjes së këtyre tre martirëve tanë, ani pse në vazhdim më vështirësi të mëdha u forcua dhe u konsolidua për të ardhur në fund të viteve 80-ta, kur do të formohen parti legale pluraliste për ta jetësua amanetin e Jusufit , Kadriut dhe Bardhoshit, si dhe të shumë patriotëve shqiptarë që sakrifikuan jetën për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar dhe për të arritur te lufta çlirimtare fund viteve 90 ta, …!

Nga distanca kohore, këtu e 34 vjet më herët, më lejoni të ndaj me ju një nga udhëtimet e mia me Jusufin, në vitin 1981, në pasdite u nisëm nga Ludwigsburgu për Ingolstadt, makinën na i dha Bardhoshi, rrugën nuk e njihnim, por u orientuam me hartë, Jusufi ishte i vendosur të arrinte me kohë dhe i sigurt se do e gjenim vendin ku po na prisnin një grup bashkëkombësish tanë, ne mesin e tyre ishte edhe Rexhep Çekaj, kushërini i Saliut të cilin po e shoh sot këtu! Dhe vërtet arritëm me kohë, atje na pritën mirë dhe i dhanë fjalën Jusufit se do e përkrahin në rrugën e tij fisnike!
Tash, që më nuk i kemi në mesin tonë këta tre pishtarë të lirisë, puna dhe aktiviteti i tyre patriotik dhe atdhetar, sidomos vendosmëria e tyre politike kundër robërisë së Kosovës, do duhej të na shërbente të gjithëve si Ylli polar, që t’i kapërcejmë dhe zgjidhim të gjitha problemet dhe krizat politike, të cilat sot Kosovën, veç sa nuk e kanë ngulfatur të tërën, më qëllim për ta ndërtuar një jetë sa më të mirë, si njerëz dhe si popull i lirë dhe i zhvilluar. Sepse, të këtillë e ëndërronin Kosovën Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi..!
Jusuf Gërvalla pas vetes ka lënë veprën e madhe intelektuale dhe sakrificën më sublime për çlirimin e Kosovës nga thundra e rënd sllavo-komuniste, sepse ai ishte i bindur se popull shqiptar kurrë nuk do të dorëzohet para robërisë mizore serbo-sllave, sepse shqiptarët si populli më i lashtë në Ballkan e duan lirinë dhe bashkimin kombëtar, dhe se nuk ka çmim që mund t’i zbrazë pas nga realizimi i të drejtave të tyre nacionale, të cilat për fat u arritën pas shumë lumenjve gjaku dhe sakrificash të mëdha, më 12 qershor 1999.

Kosova është kthyer në një oazë të shëmtuar

Edhe sot ajo frymë patriotike dhe lufta për përmbushjen e gjitha idealeve tona nacionale, na duhet më shumë se kurrë, por edhe për t’i thënë ndalë njëherë e mirë korrupsionit, nepotizmit, krimit politik dhe ekonomik, e që në vitet e pas luftës çlirimtare Kosovën e kanë kthyer në një oazë të shëmtuar, ku pothuajse asgjë nuk lëvizë përpara..!?

Punën dhe veprën e Bardhoshit, si punëtor social dhe njeri i dashur dhe i çmuar që ishte, se si duhet ta duam atdheun, secili prej nesh sot duhet ta marrë si shembull në jetë, se, edhe pse e kishte një jetë të mirë në Ludwiugsburg, ai e dinte mirë, se pa lirinë e atdheut nuk mund të ketë liri dhe të drejta njerëzore dhe kombëtare, por as jetë të lumtur dhe përparim shoqëror dhe familjarë!
Kadri Zeka, i cili pa frikë dhe hezitim i shkelte metropolet e vendeve të ndryshme të Evropës, duke organizua protesta dhe demonstrata më qëllim për ta afirmua çështjen e Kosovës në Evropë dhe botë, veprat e tij do duhej të na shërbenin të gjithëve pa dallim, se pa miq të mirë dhe të fortë, nuk mund të mbahet as shtëpia..!
Zonja e zotërinj,
Kujtimi dhe akademitë për figurat e ndritshme kombëtare, heronjtë dhe gjithë dëshmorët e kombit, duhet t’i vejmë në funksion, jo vetëm si takime nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e tyre, por mbase për mobilizim dhe ngritje të vazhdueshme të moralit dhe të vetëdijes kombëtare për t’i vazhdua përpjekjet tona kolektive për jetësimin e objektivave zhvillimore në hap më popujt tjerë të Evropës, si pjesë e natyrshme e saj, por edhe për çuarjen deri në fund të amanetit të dëshmorëve si dhe synimet tona kolektive për bashkim dhe unitet gjithëkombëtarë..!!
Lavdi e përjetshme qoftë për dëshmorët e kombit, që nuk kursyen jetën, qe ne sot të jemi të lirë dhe të pavarur nga Serbia!, Lavdi veprës së Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka!, përfundoi fjalën e tij Hafiz Gagica

Ende kemi qeveri që drejtohen nga interesa të huaja

Pasi përmendi terrorin serbo jugosllav që ushtrohej përmes udbës famëkeqe e cila kulmoi me vrasjen e tre martirëve të lirisë më 17 janar 1982, veprimtari dhe shkrimtari Sylajman Aliçkaj , theksoi se liria e kërkuar nga këta martir ishte një liri për të gjitha pjesët e robëruara të tokave shqiptare , me qëllim që të përfundojnë në një etni të vetme. Aliçkaj përmendi se mjerisht ende kemi qeveri që drejtohen nga interesa të huaja, por mos të harrojmë që kemi një djalëri në alternative, siç qenë dikur Jusuf, e Bardhsh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ndaj edhe Shqipëria etnike i nevojitet brezave të ardhshëm, në mënyrë që të mos jenë të detyruar të lanë trojet e veta për të shpëtuar jetën e për të siguruar jetesën për vete e familje, siç u detyruan edhe heronjtë që ua kemi dedikua këtë akademi përkujtimore.

Nga radhët e bashkëveprimtarëve të heronjve, përshëndetën, apo evokuan kujtime: Xhafer Leci, Nezir Fejza, Agim Kameraj, Shaban Bobaj, Dan Gashi e të tjerë.

Më pastaj u mbajt edhe një orë ku punimet e tyre i lexuan poetë e prozatorë: Neki Lulaj, Fran Tanushi, Shaban Çelaj, Zef Prenkaj, Dan Gashi, Kadri Gërvalla, Refki Bytyqi, Ali Berisha, Sylejman Aliçkaj, Muharrem Blakaj (tregim) dhe Mentor Thaqi. Juria vlerësuese: në përbërje: Prof. Musa Jasiçi, Shkrimtari Prof. Fran Tanushi dhe Rexhep Rifati, gazetar, unanimisht vlerësoi që shpërblimi i parë ti takojë poetit Neki Lulaj, të cilit iu dhurua kompleti i veprës të heroit dhe shkrimtarit, Jusuf Gërvalla, vendi i dytë, poetit Zef Prenkaj dhe i treti prozatorit Muharrem Blakaj (Zvicër). Të gjithë poetëve që lexuan iu dhurua nga një libër. Çmimin dhe mirënjohjet e dhuratat i dha njëri nga bashkëveprimtarët e hershëm të heronjve Gërvalla, z. Shaban Bobaj.

Programi u përshkua edhe me disa pika artistike. Freski në veti ishte  «Vallja e gjeneratës» nga Grupi i valltareve të Shoqatës «Pavarësia» nga Stuttgarti. Pjesa e dytë e programit u vazhdua me këngë atdhetare.

Deklarata rreth akademisë

Mentor Thaqi: Kur punon me njerëzit e duhur, me profesionistët, me artistët, me atdhetarët, … sigurisht se suksesi është i garantuar! Ishte vërtetë një Akademi Përkujtimore e realizuar mirë dhe një Orë Letrare e mbarë- rrjedhshme …

Dan Gashi: E‘ gjallë, Ora dëshmorëve na bashkoj, Organizatorët dhe publiku i mrekullueshëm na fali te prezantojmë artin letrare-kombëtar dhe njerëzorë…Sinqerisht dhe bashkërisht, lindi një mrekulli, se i dha artit tonë shpirt dhe fuqi…Falënderim për këtë poetit Mentor Thaqit e të tjerëve.