Me këto fjalë iu drejtua bashkatdhetarëve në Zvicër, Donika Gërvalla, e bija e heroit Jusuf Gërvalla, duke shtuar se: shteti nuk është as i gjarpërinjve, as i haraçit dhe as i dajve, ndaj edhe shkoni e votoni, sepse fëmijët e nipat e juaj duhet ta gëzojnë shtetin të cilin e ideoi Presidenti Rugova dhe që e realizuam të gjithë së bashku,- Një referat me temën: “17 Shkurti një histori e pakthyeshme” e mbajti veprimtari, Shefqet Dibrani.
Rexhep Rifati, Cyrih
Të dielën më 23 shkurt, në qytetin St. Gallen të Zvicrës u mbajt një manifestim kushtuar 6- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Tubimin e organizuan së bashku nëndegët e LDK-së dhe PSHDK-ës të këtij kantoni, ndërsa që hapjen e manifestimit e bëri kryetari i degës së LDK-së, Sallah Januzi, i cili përshëndeti praninë e bashkëshortes dhe të bijës së veprimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gëvalla: Suzana dhe Donika Gërvalla, si dhe të kryetarit të Degës së LDK-së për Zvicër, Haki Latifi, koordinatorin të degëve të PSHDK-së, Gjokë Palokaj, përfaqësuesit të Degës së LDK-së për Gjermani, Shpend Shala, si dhe përfaqësueseve të studentëve, të Fondit Humanitar për Kosovën Lindore, të Klubit futbollistik „Besa“ dhe të Klubit të Karatesë, Bektesh Bekteshi .
Me këtë rast Sallah Januzi nënvizoi se : Kjo është një ditë, në të cilën duhet të reflektohet dhe të mbahen mend e të përkujtohen të gjithë ata që benë sakrificën maksimale për lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova, e në veçanti arkitektin e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën, si dhe figura të tjera të ndritshme. Në këtë ditë me pietet kujtohen heronjtë e heroinat që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Ardhja e bashkëshortes dhe të bijës së veprimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gëvalla: Suzana dhe Donika Gërvalla, u prit me duartrokitje të gjata nga të pranishmit në sallë. Me një fjalë të shkurtër të pranishmëve iu edhe drejtua Donika Gërvalla, e cila u bërë apel bashkatdhetarëve për pjesëmarrje sa më masive në zgjedhjet e sivjetme parlamentare:
“Ju bëj thirrje që të shkoni e të votoni, sepse shteti nuk është as i gjarpërinjve, as i haraçit dhe as i dajve. Mos ia falni votën askujt. Kosova është e fëmijëve dhe e nipave të juaj, që duhet ta gëzojnë shtetin, të cilin e ideoi Presidenti Rugova dhe që e realizuam të gjithë së bashku.
Në tubim një fjalë rasti kushtuar 17 Shkurtit- Ditës së Pavarësisë së Kosovës e mbajti shkrimtari dhe veprimtari, Shefet Dibrani, i cili aktin e shpalljes së shtetësisë së Kosovës e karakterizoi: Një vepër të lartë që u takon të gjithë qytetareve të Kosovës, shqiptarëve kudo që ata janë, pra edhe neve në Diasporë. Por, ne të Diasporës, nuk duhet të harrojmë ndihmën dhe kontributin që dhanë vëllezërit tanë në trevat shqiptare në Maqedoni dhe ata në Kosovën Lindore, përkatësisht ne mërgimtarët pa dallim të viseve, por që jetuam dhe vepruam këtu bashkërisht. Ishin përpjekje e sakrifica të mëdha të të gjithëve, por padyshim dallon kontributi i pashmangshëm i LDK-së dhe PSHDK-së, të cilat ndërtuan konceptin evropian për Kosovën. Ishte Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova i cili udhëhoqi me dinjitet projektin e pavarësisë së Kosovës, ku bashkë me një elitë intelektuale ndërtuan ura miqësie dhe krijuan aleanca me shtetet Euro Amerikane, në mënyrë që edhe lufta të jetë e suksesshme, e cila ishte përpjekja e madhe që i përshpejtoi proceset në krizën ballkanike. Kjo përpjekje për pavarësi, u kurorëzua me daljen në skenë të UÇK-së, dhe sakrifica e mijëra luftëtarëve të lirisë, pa harruar përpjekjen e gjithmbarshme të popullit tonë në Kosovë dhe viset shqiptare përreth. Dibrani veçmas u ndal edhe tek kontributi i mërgimtarëve për të tashmen e Kosovës – për paqen dhe mirëqenien e saj”, duke veçuar mbështetjen e këtij vendi mik, ndaj edhe na takon që të mburremi dhe ta falënderojmë Zvicrën!
Më tej Dibrani shtoi se: Për Degën e LDK-së në Zvicër, kjo ditë është edhe një ngjarje me interes, sepse në kuadër të ndryshimeve politike dita ditës po shihet se koncepti Evropian për Kosovën po përqafohet më shumë dhe më mirë. Kjo frymë dhe kjo ndjenjë edhe më ndjeshëm po shënohet edhe në PSHDK-në, me të cilën kemi pasur aleanca edhe në ditët më të vështira që kalonte Kosova, prandaj kjo frymë e bashkëpunimit që po manifestohet këtu në St. Gallen duhet të shtrihet dhe të zgjerohet në tërë Zvicrën. Ai përshëndeti edhe aderimin e ing. Ahmet Hasanit në LDK . Njëherësh përshëndeti disa nga pronarët e firmave shqiptare që kanë mbështetur me donacione aktivitetet e kësaj nëndege të LDK-së
Në këtë tubim, të cilin e udhëhoqi studentja, Adelina Muhaxheri, përshëndeten edhe përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike e studentore, ndërsa që programi u begatua edhe me disa pika të përzgjedhura artistike, qoftë nga fëmijë të talentuar, kryesisht nxënës të mësimit plotësues apo nga këngëtarë të njohur të estradës shqiptare, siç janë Ismet Bexheti dhe Afrim Aliu. Në cilësinë e autorit të librit: “Shqiptarët e Zvicrës- 1001 pamje”, zonjave Suzanë e Donikë Gërvallës ua dhurova këtë monografi, që të njihen me arritjet e shqiptarëve në Zvicër, nisur nga fakti se për disa vite me Jusufin ishim kolegë në gazetën “Rilindja”. Tubimi u përmbyllë me një program të përbashkët kulturo-argëtues.

























