Në pritjen e organizuar në Bernë, në 6- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ambasadori Naim Malaj, në plan të parë nxori sportistët elitarë dhe disa shoqata e portale mediash, karshi një plejade të tërë punëtorësh e afaristësh të fuqishëm shqiptarësh në kuadër të ekonomisë zvicerane, apo profile shkollarësh deri në nivele universitare.
Rexhep Rifati, Bernë
Tashmë është bërë traditë, që në kuadër të pavarësisë së Kosovës të organizohen pritje nga Ambasada e Kosovës në Bernë, ku zakonisht ftohen diplomatët e shteteve që e kanë njohur Kosovën apo edhe që nuk e kanë bërë edhe këtë. Në mesin e të ftuarave edhe kësaj radhe, më 17 shkurt, kishte përfaqësues të organizimeve tona në këtë vend, në mesin e tyre personalitete nga fushë-veprimtari të ndryshme. Në cilësinë e mysafireve nga Kosova merrnin pjesë ministri i Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, Fadil Ismajli dhe deputeti në Parlamentin e Kosovës, Elmi Reçica.
Pasi priti të ftuarit në hotelin reprezentativ, Bellevue Palace në Bernë, Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, mbajti një fjalë përshëndetëse në gjuhën frënge dhe shqipe. Kësaj radhe z. Malaj. Kësaj radhe nuk u ndalë tek arritjet e shtetit që përfaqëson, e në masë as tek arritjet e shqiptarëve në Zvicër. Kryesisht u përqendrua tek futbollistët elitarë dhe tek disa forma të organizimit shqiptarëve në shoqata, institute apo portale mediash, siç janë: Albinfo.ch, Iseal, UPA, Lapsh-i, dhe Kuvendi i shqiptarëve të Zvicër.
Fakti se më shumë se gjysma e ekipit zviceran janë me origjinë shqiptare, paraqet një mburrje të vërtetë për komunitetin tonë të madh në shtetin helvetik, por faktorizimi gjithnjë më i madh i shqiptarëve në fushat e ndryshme të ekonomisë zvicerane, ku shqiptarët shquhen edhe si drejtues firmash me reputacion, si në sferën e prodhimit ashtu edhe të veprimtarive shoqërore, nuk është për tu anashkaluar. Bizneset e suksesshme të shqiptarëve, tashmë janë një shtyllë e fortë në ekonominë zvicerane, sidomos në sferën e ndërtimtarisë, gastronomisë, komunikacionit e rekreacionit. Kontributi dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në fushën e shëndetësisë, ordinanca e spitale, ku punojnë me qindra infermierë e mjek që tashmë kanë edhe reputacion nacional e evropian, çka kjo ra në sy edhe gjatë kësaj pritjeje me pjesëmarrjen e disa mjekëve tanë eminentë në shtetin helvetik. Komponenti tjetër gjithnjë më prezentë, në fushën e shkollimit deri në nivele universitare, paraqet një arritje të pakontestueshme, shumë shpresëdhënëse për perspektiven e shqiptarëve në këtë vend, falë kushteve të mira që ua ka ofruar shteti helvetik.
Tash kur kemi një plejade të tërë shkollarësh prej mijëra nxënësish në shkolla profesionale e studentësh shqiptarë, por edhe kuadro mësimdhënësish, qoftë si asistentë, docentë, apo së fundi edhe profesor universitarë, nuk bënë të gjithë këta të ngelin nën hijen e sportistëve, qofshin ata edhe elitarë, sepse numri i tyre përbëhet prej dhjetëra sosh, çka gjithsesi paraqesin mburrjen dhe krenaria tonë, por karshi një plejade të tërë shkollarësh me një dije e përvojë evropiane, nuk mund të kenë përherë primatin, sepse për imazhin e shqiptarëve në Zvicër të gjithë duhet të japim kontributin tonë.

























