11.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

“Në emër të Atit”, një monodramë që impresionoi publikun artdashës

 

Për aq sa zgjati kjo shfaqje, në Kloten të Cyrihut, me autor Ridvan Dibrën, regjisor Sylejman Rushitin dhe protagonist ne rolin e vetëm Daut Ahmeti, të cilit i ra e tërë “barra” mbi supe jo vetëm familjen në rrethana lufte, por edhe e kësaj pjese, dëshmoi edhe njëherë talentin prej një autori solid që arrin shumë të përvetësojë dhe bëjë për veti publikun..

Teksti: Rexhep Rifati

Fotot: Afrim Nevzadi  

Nga fushat e ndryshme të artit në mërgatë, teatri zakonisht është ndër gjinitë që akoma nuk zë vendin e merituar. Por të shikosh një premierë, siç ishte ajo që u shfaq mbrëmë në Kloten të Cyrihut, me emërtimin: “Në emër të atit” me tekstin e shkrimtarit Ridvan Dibra, e me regji të Sulejman Rushitit, është diçka për tu dëshiruar dhe t`u përsëritur më shpesh.  Ajo që pamë mbrëmë, ndonëse vetëm me një aktor, falë talentit dhe lojës së tij përplot inspirim e kreativitet, bëri që për më pak se një ore publikut të “ecë” ndër shekuj për të ndi e përjetuar traumat dhe mizoritë që sjellë lufta, pavarësisht periudhat kohore.

Protagonist i shfaqjes aktori Daut Ahmeti, i cili mesa mësuam ka krijuar edhe një kompani teatrore në Zvicër, gjatë interpretimit të rolit të Andreas në monodramë, nxori në pah një pjesë shumë të përjetuar e të realizuar mirë, falë edhe një skenografie të thjeshtë e me efekte filmike, por shumë të kapshme për publikun.

Me këtë rast po japim edhe fjalën e e regjisorit Sulejman Rushiti, lidhur me realizimin skenik të kësaj drame me premisa tragjike:
Shfaqja është një bashkëudhëtim me Andrean dhe me të gjithë të dëbuarit, të pagjeturit e të mbijetuarit nga luftërat. Përmes rrëfimit të Andreas, futemi thellë në shpirtrat e lënduar e të gjithë atyre që kanë pësuar nga luftërat në të gjitha kohërat. Andrea rrëfen e rrëfehet, rijeton e ripërjeton jetën e tij. Na fton të bëhemi bashkëudhëtarë e bashkëmendimtarë të tij. Tenton të shfajësohet para nesh duke na nxitur edhe neve të gërmojmë thellë në shtresat tona të ndërgjegjes e të përballemi me dilemat tona morale e etike.Rijetojmë e ripërjetojmë bashkë me Andrean: dilemat, pikëpyetjet, dashurinë, mallin, mallëngjimin, urrejtjen, guximin, etj. Në emër të atit është një elegji për shpirtrat e humbur, si për ata të zhdukurit, ashtu edhe për ata të “shpëtuarit”.

Ndërkaq Daut Ahmeti, që luajti rolin kryesor dhe të vetmin në këtë shfaqje thotë se: “Nga këndvështrimi profesional, ky proces i ndërtimit të karakterit të Andreas ka qenë si proces gërmimi në thellësitë më të mëdha të shpirtit për të dialoguar me veten mbi të gjitha dilemat etike e morale. Jam i lumtur që rikthmin tim në skenë e bëra me Andrean. Jam i lumtur që pikërisht me këtë shfaqje, fillon rrugëtimin edhe Teatri Arti-na-on me seli këtu në Zvicër. Ky teatër do të jetë një vendtakim i kulturave të ndryshme.”, thotë Ahmeti. 

Në fund të kësaj shfaqje pata kënaqësinë që protagonistit Daut Ahmeti ti dhuroj librin tim “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje”