27.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

Aforizma dhe sarkazma

Aforizma dhe sarkazma –
nga jeta, morali dhe natyra njerëzore

 

Ky vëllim vjen si rrjedhë e një vëzhgimi të jetës dhe përvojës njerëzore. Në këto faqe nuk flitet për urtësi të lexuara, por për urtësi të jetuara. Çdo aforizëm lind nga përvoja dhe përballja me jetën. Aforizmat janë si pasqyra që nxjerrë të vërtetën pa zbukurime.

Disa nga këto aforizma dhe sarkazma janë të ashpra, disa të buta, disa thumbuese, por të gjitha dalin nga e njëjta ndjenjë: dashuria për njeriun dhe të vërtetën. Në to gërshetohen morali, ironia, përjetimet, dhe sarkazma, si mësime të heshtura që vijnë nga vetë jeta.

Në këtë vëllim, njeriu shihet në shumë pamje: punëtori dhe dembeli, i mençuri dhe i marri, i ndershmi dhe horri, natyra dhe shoqëria që e rrethojnë. Çdo thënie është një dritare e vogël që lidhet drejtpërsëdrejti me njeriun, me të bukurat dhe të metat e tij.

Në fund, qëllimi im nuk është të gjykoj, por të kujtoj se fjala e thënë është si fara që mbin në zemrën e atyre që duan ta dëgjojnë.

Shoqëria dhe morali

  • Ai që refuzon çdo punë të ofruar le të përgatitet për kërkim lëmoshe derë më derë.
  • Gjumi i ditës u bë roje nate.
  • Në burgje, përveç revolucionarëve dhe atyre që e mbrojnë nderin e familjes, rrinë vetëm ata që janë shejtanë.
  • Vera i pëlqen punëtorit, kurse dimri dembelit.
  • Fëmijë të pafat janë vetëm ata që i kanë prindërit e marrë.
  • Luanin dhe tigrin nuk i gjeni në shkurre.
  • Po e humbët kontrollin pa arsye, kërkoni menjëherë ndihmën e mjekut.

Familja dhe marrëdhëniet

  • S’ka shpërblim më të madh se të të qëllojë gruaja e ndershme e fisnike.
  • Vajza mendjelehtë e bën dhëndër atë, që edhe toka ka zarar prej tij.
  • Çiftet e reja kanë raporte të mira me vjehrrit derisa t’ua rrisin fëmijët.
  • Ai që nuk krijon qëllimisht familje, i bën dhuratë djallit.
  • Njerka e keqe nuk i do as fëmijët e vet.

Natyra dhe jeta

  • Kopshtet me pemë dhe livadhet me lule e zbukurojnë fshatin.
  • Ankohemi për ndotjen e liqeneve dhe lumenjve pa e pranuar asnjëherë që ndotës të tyre jemi ne.
  • Qukapiku ia bën vetes strehën edhe në dru, kurse nomadi as që mendon ndonjëherë ta bëjë.

Dija, arsimi dhe kultura

  • Sakatshkrimi është vrasësi kryesor i gjuhës.
  • Aty ku nuk ka libra, ka dhunë.
  • Pa arsimim të mirëfilltë s’ka civilizim.
  • Ai që s’ka vesh për muzikë, më tepër i shijon krrokatjet e korbave se cicërimat e bilbilave.

Sarkazma dhe ironia

  • I pamoralshmi e gjen të pamoralshmen si zagari lepurin.
  • Mos hyni në tarikate se zhvisheni shpirtërisht dhe flijoheni për lesh dreqi.
  • Ai që ka qesen plot e s’e kthen borxhin, është helaq hesapi.
  • Kroin me lëmyshqe dhe baltë e preferojnë vetëm bretkosat.
  • Horri, edhe pse zihet me presh në dorë, prapë shtiret i ndershëm.
  • Çka i duhet bukëpjekësit furra kur i mungon mielli.
  • Syri i uritur dëmton stomakun.
  • Brisku i berberit të keq mund t’u prek edhe në asht.

Rreth autorit

Arif Ejupi është gazetar, publicist dhe autor i dhjetëra shkrimeve në fusha të ndryshme të jetës shoqërore, historisë dhe kulturës shqiptare. Krijimtaria e tij përfshin artikuj dokumentarë, reportazhe, ese reflektuese dhe portrete figurash të njohura të sportit e kombit. Me një stil të kthjellët, të drejtpërdrejtë e shpesh sarkastik, ai trajton tema që prekin ndërgjegjen dhe moralin njerëzor.