13.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

William Walker: Librin për Reçakun po e shkruaj para se të shkoj në botën tjetër

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka thënë se: «Librin për Masakrën e Reçakut po e shkruaj dhe po provoj ta përfundoj para se të shkoj në botën tjetër”.

Ndërkaq qeveria e Kosovës ka ndarë 70 mijë euro për botimin e këtij libri mbi Masakrën e Reçakut të paraqitura nga kujtimet dhe pikëpamja e ambasadorit William Walker, i cili vetëdijësoi botën për krimet serbe në fshatin Reçak.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se ky libër po financohet për shkak të peshës historike që ka.
“Këtë të diel bëhen 24 vite nga Masakra e Reçakut që tmerroi dhe tronditi Kosovën, por edhe e ndërgjegjësoi dhe e alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Para jush keni propozim-vendimin për ndarjen e 70 mijë eurove për hulumtimin, shkrimin, editimin, përkthimin dhe shtypjen e librit të memoareve të ambasadorit William Walker dhe të Masakrës së 15 janarit 1999 në fshatin Reçak dhe peshës historike të kësaj ngjarje. Libri do të përshkruajë ngjarjet e ndërlidhura me Masakrën e Reçakut të paraqitura nga këndvështrimi i ambasadorit Walker të treguara nga perspektiva e tij personale si shef i misionit verifikues të OSBE-së”, tha ai.

Kurse Walkeri kur është pyetur për ndarjen e këtyre fondeve, ai u shpreh se: “Qenka interesante, s’paskam dëgjuar”, derisa  ka shtuar se do të niset për në Kosovë për të marrë pjesë në datën përkujtimore të 15 janarit për Masakrën e Reçakut.

“Do të jetë një libër i vetëm, përshkrime të përjetimeve të mia të ngjarjeve në Reçak, të atij krimi. Do të jetë një përmbledhje e asaj”, ka thënë Walker.

Në lidhje me rëndësinë e botimit të këtij libri, William Walker, ka kujtuar se masakra e Reçakut ishte pikëkthesa historike e cila lëvizi tërë Aleancën e Atlantikut të Veriut për të ndërhyrë në Kosovë kundër regjimit gjenocidial të Sllobodan Millosheviqit.

“Rëndësia është se Kosova është një shtet i ri në qendër të Evropës, dhe nuk mendoj se do ishte bërë ashtu siç u bë, nëse masakra e Reçakut nuk do të kishte ndodhur dhe reagimi ndërkombëtar të mos kishte qenë ai që ishte, aq fuqishëm. Solli luftën e NATO-s, që mendoj që askush atë kohë nuk po e mendonte, e cila erdhi më së shumti si rezultat i reagimit pas masakrës së Reçakut”. “Mendoj se Qeveria në Kosovë dhe njerëzit që kam takuar gjatë 23 viteve gjithmonë më kanë pyetur se a do të shkruani libër për këtë ngjarje të rëndësishme, dhe pikërisht këtë po e bëj”, ka thënë Walkeri.

Walker (miku i madh i Kosovës dhe i shqiptarëve) mes tjerash u shpreh tejet i emocionuar rreth kësaj ngjarje, të cilën saher e kujton e flet me shumë dhimbje.